Si pasojë e përplasjes, 30 persona kanë mbetur të lënduar, prej të cilëve gjashtë janë në gjendje më të rëndë dhe janë transportuar me urgjencë në spital, raporton gazeta gjermane Bild.

Sipas policisë gjermane, aksidenti ndodhi rreth orës 12:05, kur shoferi i autobusit, një 49-vjeçar nga Sllovenia, nuk e vërejti me kohë kamionin që po ngiste një 46-vjeçar polak dhe u përplas me pjesën e pasme të tij. Nga goditja, kamioni që transportonte perime humbi një pjesë të ngarkesës, duke bllokuar tërësisht autostradën.

“Në autobus ndodheshin rreth 50 pasagjerë, të gjithë me origjinë nga Kosova. Për shkak të numrit të madh të të lënduarve, autoritetet gjermane angazhuan një helikopter shpëtimi dhe disa ekipe emergjente për t’u ardhur në ndihmë të aksidentuarve. Të plagosurit me lëndime më të lehta u trajtuan në stacionin e pajisjeve të zjarrfikësve në Irschenberg”, raporton Bild.

Tutje theksohet se për disa orë, autostrada A8 mbeti e mbyllur për qarkullim, duke shkaktuar bllokim të madh të trafikut.

Autobusi i aksidentuar ishte i kompanisë ‘Dubova Reisen’. Nga kjo kompani kanë thënë për media se pasagjerët janë mirë dhe vetëm tre prej tyre kanë pësuar lëndime.