Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Kamenicës, Greta Kryeziu, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Komuna e Kamenicës përmes një njoftimi zyrtar, ku është theksuar se ndarja nga jeta e saj paraqet një humbje të madhe jo vetëm për familjen, por edhe për institucionin dhe gjithë komunitetin.
“Kamenica humbi një profesioniste të përkushtuar dhe një njeri me vlera të larta. Ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin Gretën”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj, në një reagim të tij ka vlerësuar lart kontributin e Kryeziut. “Greta ishte një profesioniste e palodhur, gjithmonë në shërbim të qytetarëve tanë. Largimi i saj i hershëm na ka prekur të gjithëve. Komuna e Kamenicës do ta kujtojë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje,” ka thënë ai.
Ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e cilësoi ndarjen e saj nga jeta si një humbje të madhe për shoqërinë.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të koleges sonë në Aleancë, Greta Kryeziut. Ajo ishte një vajzë e përkushtuar dhe profesioniste që dha shumë për komunitetin e saj. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë miqve të saj”, shkroi Haradinaj.