Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me PTH-Prishtinë, ka realizuar sot një operacion nën dyshimin për veprën penale “Fajde”.

Policia njofton se janë arrestuar B.F. (1977) dhe A.F. (1986), ndërsa i dyshuari B.B. (1985) nuk është gjetur dhe i është lënë ftesë për paraqitje.

“Të dyshuarit kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme si interes për fajde dhe kanë kërkuar marrjen e njësive banesore që janë në ndërtim, ku viktima është pronar. I dyshuari B.F. është arrestuar në flagrancë duke pranuar paratë, ndërsa A.F. në vendbanimin e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër gjykate janë kontrolluar tri vendbanimet e të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të përdoren në procedurën penale.

Prokurori i Shtetit PTH-Prishtinë ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve B.F. dhe A.F.