Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Dollc të Klinës, nga i cili ka humbur jetën një person, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Lajmi është konfirmuar nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës. Nga ky institucion shëndetësor kanë bërë të ditur se viktima është sjellë në Emergjencë pa shenja jete, ndërsa pesë personat e tjerë po marrin trajtimin e nevojshëm nga ekipet mjekësore.
“Një person është sjellë pa shenja jete në Emergjencë, ndërsa deri tani kemi pranuar pesë të lënduar nga ky aksident, të cilët po trajtohen dhe po marrin kujdesin e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës kanë bërë të ditur se për gjendjen e të lënduarve do ta informojnë opinionin publik në vijimësi.