Brenda gjashtë ditësh nga hapja e sistemit për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore, përmes platformës digjitale e-Kosova, janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook.
Sipas Nagavcit, verifikimi i aplikimeve nga ana e koordinatorëve të shkollave po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe efikase. Deri më tani, janë verifikuar 73,064 aplikime, pa raportime për ndonjë ankesë nga prindërit, çka sipas ministres dëshmon për funksionalitetin dhe transparencën e sistemit.
“Procesi po zhvillohet pa pengesa, dhe deri tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit, çka dëshmon për funksionalitetin dhe transparencën e sistemit”, ka shkruar Nagavci.
Subvencionimi i prindërve për blerjen e librave shkollorë është një praktikë që filloi në vitin 2023, pas ndërprerjes së marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin direkt të shkollave. Sipas Ministrisë së Arsimit, kjo metodë synon të ndalë abuzimin me buxhetin e shtetit dhe të përmirësojë shpërndarjen e teksteve.