(Plotësuar, 11:40) Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas seancës së sotme ka thënë se kandidati i propozuar për kryetar kuvendi duhet të dihet dy apo tri ditë përpara, në mënyrë që ta sigurojë shumicën.
“Kushdo që të jetë duhet të dihet dy apo tri ditë përpara dhe të trajtohet siç ka qenë gjithmonë. Është shtuar numri i abstenuesve, mirë është puna”, ka thënë Limaj shkurt para gazetarëve pas përpjekjes së 55-të të Kuvendit për konstituim, ku ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentar.
Limaj: Emri për kryeparlamentar duhet të dihet paraprakisht
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka rithënë se marrëveshja politike është ajo që nevojitet për ta tejkaluar bllokadën në Kuvend.
“Çfarëdo zgjidhje parciale provokon situata të tjera, e jo krijim të institucioneve”, ka thënë ai duke shtuar se zgjidhje parciale janë zgjedhjet e parakohshme.
Limaj ka shtuar se emri i kandidatit për kryekuvendar duhet të bëhet i ditur paraprakisht.
“Situata nuk është normale. Nuk duhet të befasohet me emrin e kryetarit të Kuvendit, duhet të dihet paraprakisht, t’i ketë 61 vota, të shkohet të votohet, ka vendimmarrje politike”.
Limaj nuk ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja, në prag të nisjes së përpjekjes së 56-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se kur subjekti fitues nuk i ka votat e mjaftueshme të shumicës, duhet krijuar marrëveshje politike.
“Çfarëdo zgjidhje parciale nënkupton situata tjera e jo krijim të institucioneve, zgjedhje të reja. Mbetesh në zgjidhje gjysmake, që s’janë në interes të Kosovës”, ka thënë Limaj.