Shkruan: Flroim ZEQA
Me politikë hakmarrëse dhe inatçore jemi duke shkuar drejt zhbërjes së vlerave njerëzore dhe drejt rrënimit të institucioneve shtetërore! Politika është kthyer në mjet për largimin e të rinjve nga Kosova dhe në armë vrastare të ardhmërisë në shtetin për të cilin janë bërë sakrifica të panumërta, është derdhur gjak dhe janë humbur dhjeta mijëra jetë të pafajshme në luftën e fundit çlirimtare.
Vazhdon prostitucioni politik dhe sek*ual në shoqërinë tonë
Jo rastësisht disa analfabetë kanë zgjedhur të merren me politikë, pasi politika është bërë biznesi më profitabil, përmes të cilit po pasurohen dhe po krijojnë privilegje marramendëse nga pushteti, duke filluar nga punësimet e familjarëve, marrjen e tenderëve dhe përvetësimin e pronave publike, e të mos flasim për blerjen e çfarëdo diplome universitare për familjarët e tyre, e cila gjeneron hapje të bizneseve profitabile, si; hapja e ordinancave private, shkollave dhe autoshkollave private, të cilat prodhojnë analfabetizëm dhe shkaktojnë vdekje “aksidentale” të qytetarëve të vendit!
Dhe vërtetë, politika si zanat i vjetër, përveçse ‘art i të mundshmes’ është kthyer në mjet për largimin e të rinjve nga Kosova dhe në armë vrastare të ardhmërisë së shumë gjeneratave në shtetin për të cilin janë bërë sakrifica të panumërta, për shtetin që është derdhur shumë gjak dhe janë humbur dhjeta mijëra jetë të pafajshme në luftën e fundit çlirimtare.
Degradim politik dhe shoqëror
Politikanët e pasluftës të të gjitha llojeve e ngjyrave, në veçanti të pas pavarësisë e deri në ditët e sotme, pushtetin e kanë përdor në maksimum vetëm për realizimin e interesave personale duke e harruar tërësisht interesin e qytetarëve.
Pushtetarët cilët do qofshin ata, përveçse pushtetin e kanë përdorur për pasurim, e kanë përdorur edhe për hakmarrje dhe revansh kundër rivalëve politikë për inate personale.
Në të dyja nivelet e pushtetit, pra si në atë lokal dhe atë qendror, gjithnjë dhe në vijimësi, politikanët i kanë punësuar familjarët dhe militantët partiakë pa përfillur kritere dhe pa respektuar konkurse punësimi!
Kjo qasje denigruese e vendit ka prodhuar pabarazi qytetare dhe padrejtësi shoqërore në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës!
Tenderomania dhe veteranomania janë dukuri që po na përcjellin edhe në ditët e sotme, sikurse që janë prostitucioni politik dhe ai sek*ual i përhapur aq shumë në institucionet shtetërore dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi!
Në këtë moment, sikur m’u kujtua profesori universitar i Kimisë, i cili në prag të provimeve, në fund të çdo ligjëratë e përdorke metaforën e tij të famshme “Kush e jepë, e jepë provimin”!
Kujt i ka shkuar mendja që ‘Metafora’ e profës dyzet vite më pas do të bëhet kriter punësimi për vajzat dhe motrat tona në institucionet shtetërore, në zyrat komunale dhe ato partiake!
Kësaj radhe më mirë po ndalem më kaq e nuk po lëshohem në abuzimet e përditshme të politikanëve të ditëve të sotme, të cilët mund t’i kenë të gjitha, por jo edhe moralin dhe karakterin njerëzor.
Me këtë konstatim nuk dëshirojë t’i lëndojë të gjithë politikanët, për shkak se ka edhe politikan të ndershëm që aksidentalisht kyçen në politikë, porqë shpejt largohen prej saj!
Në të gjitha vendet e zhvilluara dhe demokratike, politika është art dhe shkencë në vete e cila bazohet në parime dhe vlera, në kritere dhe në meritokraci, në plane zhvillimore me strategji afatgjatë për të mirën e vendit, që për qëllim e kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve pa dallime partiake apo fetare.
Seanca e fundit konstituive e shpërfaqi edhe një herë sa jokredibile, sa e papërgjegjshme dhe sa e pamoralshme është kjo klasë politike, përkatësisht kjo legjislaturë e Kuvendit! Nuk duhet të ketë zgjedhje parlamentare në Kosovë pa marrjen e mandatit politik 120 deputetëve aktualë, pa ndalimin e përjetshëm të kandidimit dhe privimin nga zgjedhja e këtyre deputetëve morbid në çdo post shtetëror, në nivelin lokal dhe në atë qendror.