Gjatë javës së kaluar, zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë realizuar një sërë aktivitetesh në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit.
Policia ka njoftuar se në kuadër të operacioneve policore në lokacione të ndryshme, janë ekzekutuar gjithsej 78 urdhëresa të gjykatës, nga të cilat 43 lidhen me vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime e procedura të tjera ligjore.
Pas përfundimit të procedurave policore personat e dënuar me burgim janë dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar, pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara.
“Në të njëjtën periudhë, policia ka sekuestruar 15 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe qindra copë municion, duke ndikuar në rritjen e sigurisë publike”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në sferën e sigurisë në komunikacion, janë shqiptuar 4457 gjoba administrative për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 646 janë evidentuar përmes veturës inteligjente dhe radarit mobil.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në përmbushjen e misionit për garantimin e rendit, sigurisë dhe zbatimin e ligjit në të gjitha sferat e jetës.