Sipas BDI-së, veprimet e fundit të VMRO-së nga pozita e pushtetit tregojnë një përpjekje të qartë për kapjen e plotë të shtetit dhe të sistemit të drejtësisë.

Në një deklaratë, BDI akuzon qeverinë aktuale se po ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në institucione të rëndësishme të drejtësisë, si Prokuroria, Këshilli Gjyqësor Republikan dhe Këshilli i Prokurorëve, përmes skenarëve politikë që synojnë vendosjen e kontrollit mbi to.

“BDI nuk i frikësohet drejtësisë së pavarur dhe as transparencës. Përkundrazi, ne ofrojmë zgjidhje konkrete: vetting me monitorim ndërkombëtar, për të pastruar skenën politike dhe publike nga çdo ndikim korruptiv”, thuhet në reagim.

BDI thekson se është e domosdoshme të hetohet pasuria e çdo politikani dhe partie politike, përfshirë edhe procesin e privatizimit, të cilin e cilëson si “procesin më të madh korruptiv në vend”, që ka krijuar oligarkë me monopole në sektorë strategjikë të ekonomisë.

BDI propozon gjithashtu që hetimet të shtrihen edhe mbi institucionet e sigurimit shtetëror dhe punonjësit e tyre që nga viti 1945 e deri më sot, në mënyrë që të mbyllet njëherë e mirë një kapitull i errët i së kaluarës.

“Koha e projekteve monoetnike dhe e supremacisë etnike ka përfunduar. Maqedonia e Veriut mund të ndërtohet vetëm përmes bashkëpunimit ndëretnik, në frymën e multietnicitetit dhe barazisë. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të përdoret për agjenda politike që minojnë shtetin dhe shoqërinë”, theksohet më tej në reagim.

BDI shpreh vendosmërinë për ta çuar vendin përpara në rrugën drejt integrimit europian, përmes ndërtimit të institucioneve të pastra, drejtësisë së pavarur dhe një shoqërie që i jep fund tranzicionit të stërzgjatur.