Disa anëtarë të Bashkimit Evropian po shtyjnë përpara heqjen e barrierave tregtare me dhjetë vende në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme përmes një marrëveshjeje strategjike të ardhshme, të njohur si Pakti për Mesdheun. Qëllimi është që këto vende të “harmonizohen me rregullat e tregut të vetëm të BE-së”, zbulon një dokument i Komisionit Evropian në të cilin Euronews kishte qasje .
Propozimi është pjesë e një përmbledhjeje të përgatitur nga Komisioni Evropian në prill të këtij viti, bazuar në kontributet e shteteve anëtare dhe vendeve partnere. Iniciativa vjen në një kohë kur Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, që nga fillimi i mandatit të saj të dytë, ka theksuar nevojën për të diversifikuar tregtinë dhe për të zvogëluar varësinë nga Rusia dhe Kina.
Çfarë sjell Pakti për Mesdheun?
Pakti për Mesdheun, që do të prezantohet nga Komisioni Evropian në mesin e tetorit, synon të krijojë një rrjet marrëveshjesh dypalëshe të reja dhe ekzistuese me vendet e Mesdheut në sektorë kyç. Marrëveshja mbulon Algjerinë, Egjiptin, Izraelin, Jordaninë, Libanin, Libinë, Marokun, Palestinën, Tunizinë dhe Sirinë.
“Konsultimet do të synojnë gjithashtu të përfshijnë perspektivat e fqinjëve, veçanërisht të vendeve arabe të Gjirit dhe Turqisë, duke njohur interesat, kontributin dhe ndikimin e tyre të rëndësishëm strategjik brenda rajonit”, thuhet në dokument.
Me këtë iniciativë, Brukseli zyrtar dëshiron të forcojë integrimin në rajonin e Mesdheut, veçanërisht në dritën e paqëndrueshmërisë tregtare me aleatët tradicionalë si Shtetet e Bashkuara.
“Shumë anëtarë të BE-së propozojnë modernizimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe heqjen e barrierave tregtare, me thirrje për harmonizim me rregullat e Tregut të Përbashkët dhe mbështetje për konvergjencën në sektorë të tillë si standardet dixhitale, të energjisë, mjedisit dhe të punës”, thuhet në dokument.
Kjo nuk është përpjekja e parë e Brukselit për të inkurajuar një integrim më të thellë tregtar me Mesdheun. Në vitin 1995, me të ashtuquajturën “Deklaratë të Barcelonës”, partnerët ranë dakord për krijimin e Zonës së Tregtisë së Lirë Euro-Mesdhetare (EMFTA), por ky projekt nuk u zhvillua kurrë.
Një hap përtej marrëveshjeve ekzistuese
BE-ja tashmë ka një marrëveshje tregtare preferenciale me vendet mesdhetare nëpërmjet Konventës Pan-Euro-Mesdhetare (PEM), e cila harmonizon rregullat e origjinës për mallrat. Megjithatë, dokumenti i Paktit për Mesdheun e bën të qartë se anëtarët e BE-së duan të shkojnë më tej.
“Disa anëtarë të BE-së theksojnë rëndësinë e tregtisë gjithëpërfshirëse, tarifave më të ulëta dhe aksesit praktik në treg përmes mjeteve të tilla si Global Gateway dhe Konventa PEM. Disa janë në favor të modernizimit të Konventës PEM për të reflektuar marrëveshjet aktuale tregtare të BE-së dhe për të identifikuar tregtinë si zona me potencialin më të madh për veprim të përbashkët dhe të koordinuar”, thuhet në dokument.
Interesi i vendeve partnere
Sipas dokumentit, partnerët mesdhetarë po tregojnë gjithashtu interes për një bashkëpunim më të fortë, duke kërkuar “përputhje rregullatore, akses në treg dhe mbështetje për prodhuesit vendas”. “U shpreh mbështetje për harmonizimin rregullator për të tërhequr investime dhe për të ndërtuar zinxhirë të përbashkët vlerash në sektorët dixhitalë, të transportit dhe të energjisë së pastër”, tha dokumenti, duke iu referuar kontributeve të vendeve mesdhetare.
Partnerët propozojnë gjithashtu zinxhirë vlerash ndërkufitarë agro-industrialë, modernizimin e sistemeve doganore dhe thjeshtimin e procedurave tregtare: “Theksi vihet gjithashtu në thjeshtimin e procedurave tregtare, mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ndërmarrjet e gjelbra, si dhe zbutjen e barrierave jo-tarifore përmes dialogëve të strukturuar”.
Ndër prioritetet janë përafrimi me qeverisjen dixhitale të BE-së, siç janë ligjet dhe rregulloret e frymëzuara nga Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), dhe konvergjenca në standardet e energjisë së pastër dhe mbrojtjes së mjedisit.