Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se deri sot janë pranuar gjithsej 183.226 mijë aplikime për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore. Ndërkohë MASHTI ka bërë të ditur gjithashtu se sot ka filluar edhe ekzekutimi i pagesave të para.
“MAShTI njofton se sot kanë filluar pagesat e para ku janë ekzekutuar 9.634.000,00 euro për 120.425 aplikues. Procesi i aplikimit mbetet i hapur, me qëllim që të sigurohet përfshirja e të gjithë nxënësve, në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pa tekste shkollore dhe materiale mësimore për vitin shkollor në vijim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Kjo ministri ka vënë edhe numra kontaktues në të cilët mund të drejtohen ata që hasin në vështirësi gjatë aplikimit.
“Për çdo vështirësi teknike gjatë aplikimit, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat e telefonit dhe adresën elektronike të dedikuar: +383 (0) 38 200 65 058 +383 45 834 248 libri@rks-gov.net. MAShTI siguron se të gjitha rastet e adresuara do të trajtohen me prioritet dhe do të ofrohet mbështetja e nevojshme për aplikim dhe përfitim nga ky program”, thuhet tutje në njoftim.
MASHTI gjithashtu ka bërë të ditur se të gjitha aplikimet janë duke u verifikuar nga koordinatorët e shkollave dhe DKA-të.