Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ka ndodhur ndërhyrje në procedurë në mënyrën e votimit për kandidatët për kryesi të Kuvendit nga komunitetet. Sipas tij kjo ndërhyrje në procedurë është jo-kushtetuese.
“Ne kemi përvojë paraprake që Gjykata Kushtetuese na ka obliguar që të kthehemi në procedurë dhe me respektuar rregulloren e Kuvendit”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se është problem të bëhesh pjesë e kësaj loje në vazhdimësi, “kur dihet se qëllimi është humbja e kohës përmes shkeljeve kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jo-kushtetues, në mënyrë që Kurti të fitojë edhe 2-3 muaj kohë për të mbetur ende ushtrues detyre i kryetarit të qeverisë”.
Ai foli edhe për shkrimet e Dimal Bashës rreth UÇK-së, për çka tha se ato nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës.
Haradinaj tha se ka edhe shumë të tjerë që në momente të caktuar kanë sulmuar UÇK-në dhe, sipas tij, nuk bëjnë përshtypje tanimë.