Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, ka arrestuar një zyrtar të administratës lokale nën dyshimet për përfshirje në veprën penale “marrje ryshfeti”.
Sipas njoftimit nga Policia , hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave relevante që sugjeronin përfshirjen e zyrtarit në aktivitete të kundërligjshme.
“Me autorizim të Gjykatës kompetente, është zbatuar një masë e veçantë hetimore, përmes së cilës janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.Gjatë operacionit hetimor, janë sekuestruar para që ishin pjesë e një simulimi të kontrolluar, të cilat tani do të shërbejnë si prova materiale në procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ka vendosur të ushtrojë të drejtën për të mbetur në heshtje. Pas intervistimit, prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Policia bënë të ditur se hetimet janë ende në fazën fillestare dhe pritet të zgjerojnë rrezen e shqyrtimit për të ndriçuar tërësisht rastin.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për luftimin e korrupsionit dhe çrrënjosjen e veprimeve të paligjshme që cenojnë integritetin institucional.