Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pati takim bilateral me ministrin për Çështje Evropiane të Finlandës, Joakim Strand.
Zyra e Kryeministrit Njofton se ky takim u zhvillua në margjina të organizimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe tryezave të diskutimit në nivel të ministrave për çështje evropiane e ku marrin pjesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet kandidate dhe ato potenciale për marrjen e statusit kandidat.
Në njoftim thuhet se zëvendëskryeministri ka shprehur mirënjohjen ndaj Finlandës për partneritetin e ngushtë dhe mbështetjen ndaj Kosovës.
Ai ka theksuar synimin e Kosovës për avancim në rrugëtimin drejt integrimit evropian, me hapin e radhës që duhet të jetë marrja e statusit të vendit kandidat dhe pranimi i pyetësorit. Shtoi se rruga drejt anëtarësimit në BE duhet të jetë e bazuar në principe, kritere, vlera dhe meritokraci.
Gjatë takimit, Bislimi ka nënvizuar se Kosova ka shënuar progres të dëshmuar dhe nga matjet e indekseve ndërkombëtare, gjersa e falënderoi Finlandën për përkrahjen edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.