“Ky libër përmbledhë rreth 300 biografi në këtë vëllim që është vetëm i pari i një projekti kolosal kombëtar, që synon të përfshijë dhjetëra vëllime e mijëra biografi. Nuk është kjo një përmbledhje nostalgjie, është një dokument arkivor, një botim referencial, një themel për krejt një histori që duhet të evidentohet, të rrëfehet e të mos humbasë asnjëherë prej kujtesës sonë kolektive”, tha ai.

Rama, tutje shtoi se vetëm për periudhën 1944-1953, sa ngërthen vëllimi i parë, dokumentet evidentojnë afro 900 persona që kanë përjetuar dënime politike, me ekzekutime me varre të pashënuara, me humbje që, sipas tij, ende mbeten për tu hetuar e detajuar.

“Unë ju siguroj që ne si institucion, si kryeqytet nuk do të kemi një qëndrim ceremonial e pastaj të largohemi, përjetësimi i kujtesës kërkon gjëra konkrete nga të gjithë ne e mbështetje financiare për vijimin e botimeve të reja të leksikonit, për përkthimin e digjitalizimin e tyre”, tha ai.

Ndërkaq, Shefik Sadiku, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës tha se është e rëndësishme ruajtja e kujtesës historike.

“Për ne është shumë e rëndësishme ta ruajmë kujtesën historike të popullit shqiptar, sakrifica e të cilëve ka qenë jo individuale por për interes nacional që nga viti 1944 e deri në mbarimin e luftës, çlirimit të Kosovës më 1999 të cilën e realizoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës bashkë me popullin shqiptar”, deklaroi ai.

Në shenjë respekti për sakrificën e kontributin për të burgosurit politik 1944-1953 janë shpërndarë mirënjohje e libri “Shtigje të Lirisë”.