Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për bllokimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili është pasojë e veprimeve të paarsyeshme dhe jologjike të Lëvizjes Vetëvendosje.
LDK-ja thekson se ky bllokim institucional cenon funksionimin normal të Kuvendit, pengon procesin e formimit të institucioneve dhe dëmton rëndë besimin e qytetarëve në sistemin demokratik të vendit.
“Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë me masë të përkohshme për të adresuar situatën, duke treguar se kriza aktuale nuk është pasojë e dispozitave kushtetuese, por e keqpërdorimit politik të procedurave nga Vetëvendosje. Ky veprim ka vënë në ngërç të paarsyeshëm një institucion themeltar të demokracisë parlamentare, duke lënë vendin pa funksionalitet të plotë institucional”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK thekson se ky bllokim nuk ka asnjë justifikim politik apo institucional dhe është rezultat i mungesës së gatishmërisë së Vetëvendosjes për dialog dhe kompromis, si dhe i qasjes së saj destruktive që vë interesin partiak mbi interesin e përgjithshëm shtetëror.
Lidhja Demokratike e Kosovës. theksoheet në reagim, ‘ka qenë gjithmonë konsistente në thirrjet e saj, që nga Komisioni Verifikues i Mandateve e deri më sot, duke vepruar në frymën e demokracisë, kushtetueshmërisë dhe logjikës shtetërore të Kosovës’.
LDK bën apel për respektimin e Kushtetutës, ligjeve dhe frymës së demokracisë parlamentare dhe kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës të konstituohet dhe të funksionojë menjëherë, në mënyrë që vendi të ketë institucione të qëndrueshme dhe legjitime në shërbim të qytetarëve dhe të së ardhmes euroatlantike të vendit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vepruar me përgjegjësi institucionale dhe për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.