Është nënshkruar marrëveshja prej 1 milion eurosh mes KIESA dhe LUX DEV për skemën e granteve për energji të pastër. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dy ministret në detyrë, Rozeta Hajdari e Artane Rizvanolli, si dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në qëllim të shpalosjes së potencialit të ndërmarrjeve vendore.
“Synimi ynë është për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të orientuar drejt BE-së e të udhëhequr nga inovacioni. Sot po e nënshkruajmë këtë marrëveshje për skemën e granteve për promovimin e energjisë së pastër në vlerë prej 1 milion euro, dhe në ditët në vijim edhe me nënshkrimin e marrëveshjes së re me Luksemburgun për skemën e granteve për mësimin dual, në vlerë prej 1 milion eurove, ku përfitues të kësaj skeme do të jenë ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, ku do të kontribuojnë me trajnimet e të rinjve. Është një praktikë e re, sepse ne besojmë në sektorin privat dhe ne duam të sjellim kontributin e sektorit privat në rritjen e aftësive dhe kompetencës sipas nevojës së industrisë”, tha ajo.
Ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investimi në efiçiencë të energjisë është i rëndësishëm për shumë arsye.
“Në njërën anë efiçienca e energjisë është një ndër prioritetet kryesore të strategjisë sonë të energjisë dhe sigurisht që efiçienca do të thotë që, në njërën anë, të kemi një konsum më efiçient në familje e, nga ana tjetër, kjo domosdo e përfshinë edhe industrinë. Kjo skemë që kap shifrën prej 1 milion eurosh, financohet nga qeveria e Luksemburgut e brenda kësaj skeme do të përkrahim efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave, sistemet solare fotovoltaike për prodhim të energjisë, sistemet solare termike, bateritë për sisteme solare, si dhe shndërruesit frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim. Skema e tillë nuk është e para që Qeveria e Republikës së Kosovës po e zbaton. Ne kemi krijuar një bagazh të përvojës institucionale”, tha ajo.
Tutje, Rizvanolli tha se skema vjen në kohën kur në Kosovë po zbatohet faza e dytë e liberalizimit të tregut. “Ku mbi 700 kompani operojnë tashmë në treg që nga 1 qershori i këtij viti dhe nuk është e rastësishme që në totalin e kësaj skeme do të kemi kujdes të shtuar për ndërmarrjet që operojnë në treg të liberalizuar, edhe pse dua të cekë menjëherë që ndërmarrjet tjera nuk janë të përjashtuara. Kjo është edhe një përpjekje e Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me partnerët që të mbështesë ndërmarrjet prodhuese e të lehtësojë tranzicionin energjetik”, deklaroi ajo në këtë ceremoni të nënshkrimit të marrëveshjes.
Ndërsa, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se partneritetet reflektojë zotimin e Luksemburgut për të investuar në rritjen e ekonomisë së Kosovës.
“Duke mbështetur KIESA-n, ne synojmë të nxisim inovacion, ndërmarrësi e krijimin e vendeve të punës, në veçanti për të rinjtë, gratë e për grupet e cenuara që kanë potencial. Buxheti prej 1 milion eurove për energji të pastër shënon një hap në përkushtimin tonë të përbashkët për të avancuar tranzicionin e Kosovës në energji dhe, po ashtu, rezistencën ndaj klimës”, tha ambasadori i Luksemburgut.