Procedurat gjyqësore në kontestet pronësore zgjasin shumë, thuhet në raportin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me titullin “Sfidat e Grave në Realizimin e të Drejtave Pronësore në Kosovë”. Sipas këtij raporti, mesatarisht, në të gjithë Kosovën, duhen rreth katër vjet që gjykata të fillojë shqyrtimin e një padie civile. Po ashtu, rreth 45% e grave që kalojnë nëpër proceset e trashëgimisë heqin dorë nga pasuria.
Autorja e raportit dhe menaxherja e projektit nga GLPS, Dea Fetiu, ka thënë se gjatë 11 muajve kanë monitoruar gjashtë gjykata në 60 raste me 172 seanca. Sipas saj, fokusi kryesor ka qenë në rastet e trashëgimisë dhe ndarjes së pasurisë pas divorcit. Gjatë publikimit të raportit, Fetiu ka bërë të ditur se gjykatat përballen me mungesë të theksuar të kapaciteteve njerëzore.
“Problemi më i madh është se procedurat gjyqësore zgjasin tepër shumë, një çështje që lidhet ngushtë me mungesën e kapaciteteve të gjykatave. Nga 30 raste, ku dimë datën e parashtrimit të padisë dhe seancës së parë, mesatarisht duhen rreth katër vjet që të fillojë shqyrtimi i padisë civile në Kosovë. Ky numër ndryshon nga gjykata në gjykatë, me raste në Gjykatën Themelore të Prishtinës që zgjasin deri në nëntë vjet. Madje edhe pasi të fillojë shqyrtimi, ka tendencë të shtyhen seancat, madje disa anulohen menjëherë për arsye të gjetura që nuk justifikohen”, ka thënë ajo.
Fetiu ka thënë se shumë proces-verbale janë të standardizuara dhe ndryshohet vetëm emri i palës.
Në raport thuhet se gjatë monitorimit është vërejtur se vlerësimi i kontributit jo-financiar të grave gjatë martesës mbetet sfidues për gjykatat.
“Rreth 45% e grave që kalojnë në proceset e trashëgimisë heqin dorë nga ajo, shpesh nën presione të ndryshme ose vullnetarisht. Një rast konkret në Prishtinë tregoi se një grua hoqi dorë nga trashëgimia bazuar në premtime të vëllezërve të saj për një marrëveshje kompensimi, por që kjo marrëveshje nuk u zbatua dhe gruaja përfundoi në gjykatë”, thuhet në raport.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se përkundër përpjekjeve për ngritjen e vetëdijes shoqërore, dukuria e përjashtimit të grave nga pasuria vazhdon.
“Zvarritja e procedurave gjyqësore dhe sfidat e tjera të evidentuara nga raporti janë probleme që kërkojnë analizë dhe zgjidhje. Gjykatat janë vetëm një hallkë e sistemit, dhe përkundër numrit të madh të rasteve, autoritetet duhet të reflektojnë mbi mënyrat alternative për zgjidhjen e këtyre çështjeve”, ka thënë Qelaj.
Në raportin “Sfidat e grave në realizimin e të drejtave pronësore: Një perspektivë nga monitorimi i gjykatave” u evidentua edhe narrativa diskriminuese sipas së cilës gratë e veja pa fëmijë nuk “meritojnë” të trashëgojnë pasurinë e bashkëshortit të tyre.