Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të linjës së re të prodhimit në industrinë automobilistike të kompanisë “Aulona” , përkatësisht prodhimit për kabllot dhe sistemet elektrike për industrinë automobilistike.
Bëhet e ditur se në bashkëpunim me kompaninë KES nga Republika Çeke, kjo linjë e re e prodhimit ka mundësuar punësimin e mbi 80 personave, prej të cilëve mbi 70 janë gra. Kompania synon që të shtojnë numrin e të punësuarve në mbi 100 gjatë vitit të ardhshëm.
Duke e quajtur këtë ceremoni një arritje të madhe për kompaninë dhe për gjithë ekonominë tonë, kryeministri Kurti tha se kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm drejt një Kosove më të fuqishme ekonomikisht, më të drejtë shoqërisht dhe më të lidhur ndërkombëtarisht. Realizimi i këtij projekti, siç u shpreh kryeministri, përkon me kohën kur Kosova është duke përjetuar një moment të veçantë ekonomik, teksa shtoi se vendi ynë sot ofron qartësi fiskale, partneritet publik-privat të strukturuar dhe një klimë të favorshme për investime në prodhim, pastaj në eksporte dhe të bazuara në teknologji e në dije, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
“Aulona përveçse një kompani këtu në Gjakovë, është një simbol i asaj që Kosova mund të bëhet kur kapitali lokal takohet me vizionin ndërkombëtar, kur gratë fuqizohen përmes punës, kur qeveria, biznesi dhe partnerët e huaj punojnë së bashku për një të ardhme të përbashkët mbi bazën e vlerave të njëjta. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju përgëzoj për këtë hap të madh dhe ju ftoj ta shohim këtë investim si një pikënisje, jo përmbyllje, për më shumë fabrika, më shumë prodhim, më shumë vende pune dhe më shumë produkte Made in Kosova, të cilat që dalin në botë”, u shpreh Kurti.