ZKA-ja thotë se subjekt i këtij auditimi ishin Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit  si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht iniciativave dhe përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me sfida. Ka mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare, si dhe të mekanizmave funksional për monitorim dhe licencim”, thuhet në njoftimin e ZKA-së për këtë auditim performance.

Tutje, është evidentuar se MASHTI nuk ka arritur të vendosë një proces efektiv për funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore.

“Ministria nuk ka siguruar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë të licencimit të institucioneve parashkollore”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, ZKA-ja thotë se në nivel lokal, përkundër disa përparimeve në ndërtimin e objekteve dhe monitorim të pjesshëm, mungesa e planeve zhvillimore, rregulloreve të funksionimit dhe përfshirjes së plotë të grupmoshave e pengon funksionimin e qëndrueshëm dhe cilësor të institucioneve parashkollore.

“Lidhur me këtë auditim, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se proceset për funksionimin dhe licencimin e institucioneve parashkollore nuk janë efektive dhe nuk sigurojnë zhvillimin e duhur. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë tetë rekomandime për përmirësimet e nevojshme në nivelin e edukimit parashkollor”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.