Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur një aktakuzë kundër një personi për veprën penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar pesë persona për vepra si dhunë në familje, lëndim i lehtë trupor, kanosje dhe ngacmim, si dhe ka ngritur tetë aktakuza kundër nëntë personave për posedim të paautorizuar të narkotikëve, lëndim të rëndë trupor, dëmtim të pasurisë dhe uzurpim të paligjshëm të pronës.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar tre persona, dy prej të cilëve për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës dhe një për posedim të paautorizuar të narkotikëve. Janë paraqitur edhe dy kërkesa për paraburgim ndaj personave të dyshuar për dhunë në familje dhe vjedhje, ndërsa janë ngritur gjashtë aktakuza ndaj shtatë personave për vepra si kanosje, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, lëndim i lehtë trupor dhe dëmtim i pasurisë.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ndaluar një person për kanosje dhe ka ngritur dy aktakuza kundër tre personave për kallëzim të rremë, kanosje dhe sulm.

Në Gjilan janë ngritur tri aktakuza kundër katër personave për lëndim trupor dhe dhunë në familje, ndërsa në Gjakovë janë ngritur pesë aktakuza ndaj gjashtë personave për vepra penale si sulm, lëndim trupor, dhunë në familje, kanosje dhe rrezikim i trafikut publik.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar një person për dhunë në familje dhe ka ngritur tri aktakuza ndaj tre personave për kanosje, lëndim trupor dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar katër persona për vepra si lëndim trupor, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm. Janë ngritur shtatë aktakuza kundër njëmbëdhjetë personave për lëndim trupor, kanosje, posedim të narkotikëve, sulm, dhunë në familje, ngacmim dhe rrezikim të trafikut publik.

Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në garantimin e sigurisë juridike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.