Qeveria njofton se në shënim të këtij përvjetori të rëndësishëm të Qendrës Trajnuese Diakonie, Kurti në fjalën e tij të rastit u shpreh se kjo Qendër qëndron si dëshmi mbi fuqinë e ndërtimit të urave mes njerëzve.

Sipas tij, Qendra të këtilla janë vend ku shërohen plagë, krijohet besim dhe lind shpresa për të ardhmen.

Në këtë ceremoni, ai nënvizoi kontributin e shtetit gjerman për Kosovën në periudhën më të vështirë të vendit tonë, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij të thellë për themelimin e kësaj qendre, e cila kishte nisur vetëm si një projekt shprese. Me këtë rast, ai falënderoi për punën e madhe dhe kontributin e pamatshëm Rafael Nikodemus dhe Silke Schaum.

“Jemi mirënjohës që, pas periudhës më të vështirë të vendit tonë, në vitin 2000, miq nga Rheinland-i i Gjermanisë dhe organizata “Kindernothilfe” nga Duisburgu kontribuuan për themelimin e kësaj qendre. Ajo që atëherë nisi si projekt shprese, sot është institucion për shumë të rinj e të reja. Prej 25 vitesh, kjo qendër është vend që lidh të rinjtë me të ardhmen, me karrierën dhe dinjitetin e tyre”, tha ai.

Nga Mitrovica, të cilën Kurti e vlerësoi si simbol i qëndrueshmërisë, tha se synimi është që të rinjtë tanë të mos detyrohen të largohen nga vendi ynë për shkak të mungesës së perspektivës.

“Duam të tregojmë dhe dëshmojmë që Kosova është vend me mundësi dhe potencial të madh. Populli ynë është punëtor, i aftë dhe plot vullnet për të ndërtuar një të ardhme të mirë”, u shpreh ai ndër të tjera.

Kurti, sipas njoftimit, ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit, kemi parë se me rritjen e besimit në institucione, janë krijuar më shumë vende pune, janë sjellë më shumë investime dhe ekonomia e vendit është bërë më produktive, dhe Diakonie është pjesë e këtij zhvillimi të qëndrueshëm.

Vlen të theksohet se në qendrën Diakonie, mijëra të rinj dhe të reja janë trajnuar ndër vite, duke marrë njohuri profesionale praktike në instalime të sistemeve të ngrohjes, ujësjellës, energjisë elektrike, ndërtim të thatë, rrobaqepësi, frizeri e të tjera.

Kurti falënderoi Diakoninë që për këto 25 vitet e fundit, ka qëndruar pranë atyre që kanë më së shumti nevojë: fëmijët, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përballen me trauma si pasojë e luftës në Kosovë.

“Në një shoqëri që ndërtohet mbi barazi dhe dinjitet Diakonie dëgjon, hap dyer, krijon mundësi, pa kufi”, u shpreh ai.