Rreth 250,000 njerëz kanë ikur nga qyteti i Gazës, të cilin Benjamin Netanyahu e ka quajtur “bastioni i fundit i madh i Hamasit”, ndërsa OKB-ja paralajmëron se përshkallëzimi do t’i zhytë civilët në “katastrofë edhe më të madhe”.
Forcat izraelite po përshkallëzojnë sulmin e tyre ndaj Qytetit të Gazës me sulme ajrore masive, në një nga fazat më të ashpra të luftës .
Ndryshe nga operacionet e mëparshme, ofensiva aktuale mbështetet pothuajse ekskluzivisht në sulme ajrore, duke shembur ndërtesa apartamentesh dhe komplekse të mëdha.
Intensiteti i sulmeve në ditët e fundit ka krijuar një valë të re civilësh të zhvendosur . Izraeli ka paralajmëruar të gjithë banorët të largohen menjëherë nga qyteti në pritje të një operacioni të madh tokësor.
Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) njoftuan se rreth 250,000 njerëz ishin larguar nga Gaza dhe ishin zhvendosur më në jug, ndërsa pretenduan se kishin shkatërruar një ndërtesë shumëkatëshe që Izraeli tha se po përdorej për “sulme terroriste ” .

Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka quajtur Gazën “bastionin e fundit të madh të Hamasit”. Megjithatë, plani për të pushtuar qytetin ka shkaktuar protesta ndërkombëtare.
OKB-ja paralajmëron se intensifikimi i operacioneve në një zonë ku njerëzit po vdesin urie do t’i zhytë civilët në një “katastrofë edhe më të madhe “. Qyteti i Gazës është qendra më e madhe urbane në enklavë dhe zemra historike e jetës politike dhe shoqërore palestineze.
Banorët ankohen se forcat izraelite po godasin shkollat dhe strehimet e improvizuara, shpesh me vetëm disa minuta paralajmërim. Shumë familje u larguan nga shtëpitë e tyre natën, duke u drejtuar drejt perëndimit.
“Vëllai im vdiq në krahët e mi”
“Ne i shpëtuam vdekjes së sigurt, unë, im shoq dhe tre fëmijët tanë”, thotë Sally Tafis, një nënë që gjeti strehim në qytet. “Vëllai im vdiq në krahët e mi pasi u qëllua nga një dron. Ne vrapuam në errësirë drejt perëndimit.”
Ushtria izraelite po u bën thirrje banorëve të zhvendosen në jug të Gazës. Por shumë familje thonë se nuk mund ta përballojnë koston – e cila mund të kushtojë deri në 1,100 dollarë. Hamasi, nga ana e tij, po u bën thirrje banorëve të qëndrojnë në vendin e tyre.
Ruben Khaled, baba i nëntë fëmijëve, tha: “Imami në predikimin e së premtes tha se kushdo që largohet nga Gaza është frikacak. Por pse nuk u thotë udhëheqësve të Hamasit të dorëzohen dhe të lirojnë pengjet izraelite në mënyrë që kjo luftë të ndalet? Ne nuk duam të largohemi, por nuk kemi zgjidhje tjetër.”
Ushtria izraelite ende nuk i ka pushtuar lagjet lindore, të cilat nuk janë goditur deri më sot. Megjithatë, operacioni aktual tregon se tani mund të synohet shkatërrimi i zonave të tëra.

“Ai nuk dëgjon askënd, duhet ta ndalojmë.”
Nga ana diplomatike, Doha ka qenë në qendër të vëmendjes që kur një sulm ajror izraelit vrau pesë anëtarë të Hamasit dhe një roje sigurie të Katarit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, i tha BBC-së se bashkësia ndërkombëtare kishte “problemin Netanyahu” për të trajtuar.
“Ai nuk dëgjon askënd, asnjë logjikë, dhe ne duhet ta ndalojmë kolektivisht”, theksoi ai, duke akuzuar kryeministrin izraelit se nuk ka pasur kurrë qëllim paqeje dhe se kërkon “të riformësojë Lindjen e Mesme sipas imazhit të tij”.
Izraeli pretendoi se kishte në shënjestër “organizatorët terroristë” përgjegjës për sulmin e 7 tetorit 2023. Megjithatë, Doha theksoi se nuk kishte pasur asnjë paralajmërim dhe ishte informuar nga SHBA-të dhjetë minuta pasi kishte filluar sulmi.
Hamasi: 47 trupa në 24 orët e fundit
Përshkallëzimi erdhi disa orë pasi kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, darkoi me Donald Trump në Nju Jork, ku u takua edhe me zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio . Rubio do të udhëtojë për në Izrael këtë fundjavë përpara një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku Franca dhe Britania pritet të njohin zyrtarisht shtetin palestinez.
Sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit, 47 trupa u transferuan në spitalet e Gazës në 24 orët e fundit. Që nga 22 gushti, kur ekspertët ndërkombëtarë konfirmuan urinë, të paktën 142 persona kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja , sipas të njëjtit burim. Izraeli i kundërshton shifrat dhe thotë se po zgjeron përpjekjet për të sjellë ndihmë humanitare.
Fushata ushtarake filloi pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, i cili la 1,200 të vdekur dhe 251 pengje. Që atëherë, numri i të vdekurve në Gaza është rritur në 64,803, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit.
Burimi: BBC