“Ata ishin të rinj, por me vizion e guxim të madh. Ata ishin të arsimuar dhe të vetëdijshëm për padrejtësinë e madhe që përjetonte populli ynë. Skënderi dhe Besimi nuk u pajtuan kurrë me robërinë, prandaj vendosën që jetën e tyre ta flijojnë për çlirimin e Kosovës”, tha Kurti.

Më tej, në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti tha se rënia e tyre në vitin 1990 u bë frymëzim për shumë të rinj e të reja, të cilët u bashkuan në rrugën e rezistencës e më vonë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E sot, 35 vjet pas rënies së tyre, Kurti theksoi se Republika e Kosovës është e lirë dhe e pavarur, dhe se ne jemi borxhli ndaj tyre, ndaj familjeve të tyre dhe ndaj gjithë dëshmorëve të kombit.

“Borxhi ynë më i madh është që të qeverisim me drejtësi, me përgjegjësi e me kujdes ndaj qytetarëve, duke e bërë vendin tonë më të zhvilluar, më të barabartë dhe më të fortë”, tha Kurti, teksa shprehu mirënjohjen më të thellë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për familjet Monolli dhe Latifi.