Në tubimin e parë në veri të Mitrovicës, Lista Serbe ka filluar fushatën me thirrje për çlirim të Kosovës, e në përkrahje të Milan Radojçiqit. Njohës të sigurisë e politikës, vënë në pah dirigjimin e Listës Serbe nga Beogradi zyrtar, ndaj bëjnë thirrje për monitorim të fushatës dhe vëzhgim nëse ka bazë për vepër penale.
“Të gjithë për vëlla Milanin”. Kjo ishte njëra nga parullat kryesore në nisjen e fushatës zgjedhore të Listës Serbe, në tubimin e mbrëmshëm në Mitrovicë të Veriut. Milan Radojçiq, emri i të cilit u brohorit, mbetet i kërkuari i organeve të rendit dhe drejtësisë, nën akuzën si udhëheqës i grupit në sulmin terrorist në Banjskë, në vitin 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Gjithashtu Gjykata e Prishtinës, që në prill të këtij viti, ka lëshuar Urdhërarrest ndaj Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë të tjerë të dyshuar për “krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë”. Radoiçiq dhe të tjerët do të gjykohen nën dyshimin se kanë vrarë rreth 106 civilë shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtuar 300 shqiptarë të tjerë.
Ndryshe nga tubimet tjera, tubimi i Listës Serbe nisi me himnin e Serbisë, ndërkohë që fjalimet e prijësve të partisë, nuk u fokusuan në premtime për mirëqenien e serbëve kosovarë në veri, por kundër qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Të pranishmit u pyetën nëse donin liri, gjë e cila u pasua me brohoritjet “Atiq ik”.
Thirrjet e gjuha e përdorur në fushatën e Listës Serbe, u pa me shqetësim nga njohës të politikës e sigurisë në vend.
Ata thonë se Lista Serbe po dirigjohet nga Beogradi për çka edhe kërkuan që të monitorohet fushata e saj.
“Ata po mundohen me i kthy me çdo kusht strukturat paralele që i kanë humbur atje. Ata kandidatë duhet të verifikohen mirë dhe të monitorohen strikt. Ne nuk duhet të biem pre e atyre, ne duhet t’i vëzhgojmë ata”, tha për RTK-në Jeton Maliqi, njohës i politikës.
“Këto thirrje në aspektin e sigurisë janë shqetësuese. Lista Srpska po e vazhdon politikën dirigjuese nga Beogradi dhe estabilishmenti i kontaminuar në Beograd. Pra, që ta ketë kontrollën në atë pjesë në katër komunat dhe t’i dirigjoj sikur i ka dirigjuar më përpara, me shantazhe dhe dezinformata të ndryshme”, tha për RTK-në, Arben Dashevci, njohës i sigurisë.
Pavarësisht përpjekjeve televizioni gjatë ditës nuk arriti të marrë një mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërkohë që ekspertë të fushës së sigurisë, bëjnë thirrje që organet e drejtësisë të nisin hetimet, nëse ka bazë për vepër penale.
“Kjo parti politike dhe të gjitha partitë politike që kanë qasje destruktive ndaj Republikës së Kosovës do të monitorohen. I mbetet organeve të sigurisë dhe drejtësistë ta marrin qëndrimin përfundimtar se a ka bazë për ndonjë vepër penale të nxitjes”, tha Dashevci.