Në Prishtinë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër në Prishtinë, që daton nga periudha 8-14 shtator, një burrë dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kanosur një grua. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt, njofton policia.

Në Istog, katër persona, tre burra dhe një grua janë arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht dy persona, një burrë dhe një grua. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor në QKMF. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë liruar, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në mbajtje.

Po ashtu në Istog, është raportuar se dy gra kosovare po i bëjnë presion psikik dhe po e kanosin një grua tjetër. Policia ka ndërmarrë veprime, por të dyshuarat nuk janë hasur në shtëpi. Rasti është nën hetime.

Në Pejë, janë raportuar tri raste të dhunës në familje. Policia ka njoftuar se një burrë është arrestuar për dhunë psikike ndaj një gruaje.

Poashtu një tjetër burrë është shoqëruar në stacionin policor për dhunë të vazhdueshme psikike ndaj një gruaje. Palët janë liruar dhe rasti është proceduar në mënyrë të rregullt.

Gjithashtu në Pejë, një burrë tjetër është arrestuar pasi dyshohet për dhunë psikike dhe dëmtim të orendive shtëpiake. Pas marrjes së trajtimit mjekësor, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, policia njofton se janë arrestuar një burrë dhe një grua nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje, njëri prej tyre ka sulmuar fizikisht një grua tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Edhe në Malishevë, është shoqëruar një burrë nën dyshimin për dhunë psikike ndaj një gruaje. Viktima ka deklaruar se një ditë më parë është sulmuar edhe nga një grua tjetër. Palët janë liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Në Vushtrri, është raportuar një rast kanosjeje ku një grua ka deklaruar se është kërcënuar nga një burrë kosovar. Nuk raportohet për të arrestuar dhe rasti është në hetime, thekson policia.