Vasfije Krasniqi-Goodman, një ndër zërat më të fuqishëm në betejën për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ndarë një rrëfim prekës dhe thellësisht njerëzor për përjetimet e saj gjatë vitit 1999.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo ka rikujtuar një nga momentet më të errëta të jetës së saj, në një periudhë të mbushur me frikë, dhimbje dhe mungesë shprese.
“Pas asaj që kisha përjetuar më 14 prill të vitit 1999, për mua pak apo fare nuk kishte shpresë. E gjendur në një zonë tërësisht të rrethuar nga forcat serbe, nuk e besoja se do të shpëtoja e gjallë. Si viktimë, ndihesha e thyer dhe e pafuqishme”, ka shkruar ajo.
Ajo kujton me emocion mbërritjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në zonën ku ndodhej.
“Aty erdhën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk do ta harroj kurrë atë moment”, u shpreh ajo.
Krasniqi-Goodman thekson se UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por mbi të gjitha një forcë humane, një mburojë për civilët e pambrojtur.
“Për mua, për ne, UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por ata ishin shpëtimtarë, mbrojtës të popullit, të cilët vunë vetën e tyre mburojë për trupat tona. Ata dhanë jetën e tyre që ne të vazhdonim jetën tonë”, theksoi ajo.