Nisma Socialdemokrate ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet lokale në Komunën e Malishevës. Drejtuesit e këtij subjekti premtuan investime, siç thanë, për ‘Malishevën Urbane’.
Para kandidatëve për asamble dhe mbështetësve të vet në Malishevë, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se qytetarët e kësaj ane meritojnë zhvillim dhe përkushtim të vazhdueshëm, duke paralajmëruar edhe projekte të reja. Limaj premtoi se pas dy vitesh do të realizohet projekti i Kievës Urbane së bashku me sheshin “Adem Jashari”.
“Nëse doni të jeni të respektuar në vendlindjen tuaj, duhet të punoni për Malishevën. Malisheva të vëzhgon sa e do vendin tënd dhe sa i shërben atij. Edhe ne kemi pasur mundësi të mos e shikonim vendlindjen, por ky burrë që ka qeverisur katër vite e ka dëshmuar përkushtimin e tij. Pas dy vitesh do të realizojmë edhe projektin e Kievës Urbane, së bashku me sheshin ’Adem Jashari’”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.
Kandidati për kryetar të komunës, Ekrem Kastrati, gjatë shpalosjes së programit të tij qeverisës, u ka kërkuar qytetarëve mbështetjen për një mandat të ri. Ai premtoi se përmes projektit “Malisheva Urbane”, do të përmirësojë furnizimin me ujë, forcojë ekonominë, bujqësinë, sigurinë dhe mirëqenien sociale.
“Në mandatin e ri do të vazhdojmë të ndërtojmë Malishevën Urbane, duke e bërë çdo fshat dhe çdo lagje funksionale dhe moderne. Do të përmirësojmë furnizimin me ujë të pijshëm për të gjithë, do të sigurojmë shërbime shëndetësore cilësore dhe gjithëpërfshirëse, dhe do të investojmë në arsim, me shkolla dhe çerdhe më të pajisura e më funksionale”, tha Ekrem Kastrati, kandidat për kryetar të Malishevës.
“Sot, në këtë vend, secili e ka krenarinë e vet. Angazhimi i Nismës është angazhim i partisë për Fatmir Limajn. Pas 25 vitesh rrugëtim të përbashkët, sot japim mbështetje të plotë për kandidatin tonë për kryetar, Ekrem Kastrati”, tha Halil Morina, bartës i listës.
Në përmbyllje të këtij tubimi me qytetarët malishevas, kandidati për kryetar Ekrem Kastrati prezantoi edhe 30 kandidatët e Nismës për Asamblenë Komunale, për zgjedhjet e 12 tetorit.