Gjatë raportimit, gjeneralmajor Barduani ndau vlerësimin e tij për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe aktivitetet e fundit të misionit. Ai theksoi se “situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet subjekt i rreziqeve të përshkallëzimit të papritur, për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura”.

Sipas tij, pavarësisht sfidave në terren, KFOR-i ka mbajtur kursin e tij, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e incidenteve që mund të kishin çuar në shpërthime të paqëndrueshmërisë, si dhe në mbështetjen e përpjekjeve diplomatike.

Gjeneralmajor Barduani foli edhe për forcimin e misionit, “përfshirë vendosjen e përkohshme të forcave rezervë”, si dhe për ruajtjen e një qasjeje fleksibile në terren përmes patrullimeve të rregullta, kontakteve me komunitetet lokale dhe aktiviteteve trajnuese.

Ai vuri në pah edhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët kryesorë: komunitetin ndërkombëtar, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.

Duke rikujtuar mbështetjen e NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, Komandanti i KFOR-it nënvizoi: “KFOR-i ka demonstruar edhe një herë se është i gatshëm dhe i aftë të luajë rolin e tij dhe të përshtasë qëndrimin e tij sipas nevojës. Megjithatë, rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake. Është politike”.

Në Bruksel, gjeneral Barduani zhvilloi gjithashtu një takim me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian (CEUMC), Gjeneralin Seán Clancy, me të cilin shqyrtoi bashkëpunimin e KFOR-it me EULEX-in dhe operacionin EUFOR Althea në Bosnjë e Hercegovinë.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX).