Sipas një raporti të ri të këtij institucioni, edhe pse strategjia përkatëse e BE-së u përditësua në vitin 2017 për t’u përshtatur më mirë me nevojat e këtyre vendeve, objektivi i financimit nuk u shndërrua kurrë në një plan konkret veprimi. Kjo ka sjellë vështirësi për BE-në dhe shtetet anëtare për të ecur përpara në mënyrë të përbashkët drejt realizimit të tij. Në fakt, shkalla e financimit ka rënë kohët e fundit, në vend që të rritet.

“Në vendet në zhvillim, tregtia, sidomos ajo ndërkufitare është thelbësore për rritjen ekonomike, e cila mund të nxjerrë miliona njerëz nga varfëria. Megjithatë, vendet më të pazhvilluara përballen me sfida të mëdha që kufizojnë qasjen e tyre në tregtinë rajonale dhe globale. Këto sfida përfshijnë: mungesë të kapaciteteve prodhuese; barriera tregtare në formën e rregulloreve, procedurave administrative dhe praktikave të qeverisjes; mjedis të pafavorshëm për biznes; infrastrukturë të dobët; mungesë të një sistemi të besueshëm për standardizimin dhe certifikimin e eksporteve; kornizë institucionale të brishtë; si dhe qasje të vështirë dhe të kushtueshme në financim për sektorin privat”, thuhet në raport.

Sipas raportit, programi i BE-së “Ndihmë për Tregti” funksionon në një mjedis kompleks, ku janë të përfshirë shumë aktorë. Prandaj, zbatimi i koordinuar në të gjitha nivelet dhe zotërimi i fortë i projekteve nga vetë vendet partnere janë vendimtarë për suksesin.

“Është shumë e pamundur që BE-ja të arrijë objektivin për të alokuar 25% të fondeve deri në vitin 2030”, tha Bettina Jakobsen, anëtare e Gjykatës së Auditorëve dhe përgjegjëse për auditimin.

“Arsyet për këtë duhet të analizohen në mënyrë të thelluar. Më pas, duhet të rishikohet nëse objektivi është ende i përshtatshëm dhe nëse ka nevojë për hartimin e një plani veprimi me hapa konkretë dhe realistë”

Nga viti 2017 deri në 2022, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë alokuar 17.2 miliardë euro për vendet më të pazhvilluara përmes programit “Ndihmë për Tregti”, një shumë shumë më e vogël krahasuar me 105.8 miliardë eurot e alokuara për vendet e tjera në zhvillim.

“Pjesa e fondeve që përfituan vendet më të pazhvilluara ka rënë ndjeshëm nga 18% gjatë viteve 2010–2015 në vetëm 12% në vitin 2022. Auditorët vunë re se Komisioni Evropian nuk ka kryer ndonjë analizë të detajuar për arsyet e kësaj rënieje, edhe pse një analizë e tillë do të ishte thelbësore për të planifikuar masa korrigjuese”, thuhet në njoftim..

Auditimi, i cili mbulon periudhën 2017–2024, shqyrtoi nëntë projekte në Ruandë, Malavi, Angola dhe Kamboxhia. Auditorët konkluduan se projektet ishin zbatuar me sukses dhe, në përgjithësi, kishin ndihmuar në rritjen e potencialit tregtar të këtyre vendeve. Megjithatë, ata theksuan rrezikun që këto vende të mos jenë në gjendje të sigurojnë qëndrueshmërinë ekonomike të rezultateve të arritura.

Edhe pse Komisioni ka bërë përparime në monitorimin dhe raportimin e rezultateve e ndikimeve të programit “Ndihmë për Tregti”, si përgjigje ndaj kërkesave të strategjisë së vitit 2017 për një qasje më të orientuar drejt rezultateve raportimi vazhdon të jetë i paplotë. Kjo kufizon mundësinë për të vlerësuar në mënyrë të plotë efektivitetin e përgjithshëm të ndërhyrjeve.

Në përfundim, auditorët bëjnë thirrje për përmirësim të koordinimit midis delegacioneve të BE-së në nivel vendi dhe atyre rajonale, në mënyrë që ndihma të përputhet më mirë me nevojat specifike të çdo vendi përfitues.