Pas përfundimit të dëshmisë treditore të ish-diplomatit amerikan, James Rubin, në Hagë ka nisur dëshminë eksperti amerikan, Paul Williams, në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Williams është dëshmitari i dytë i mbrojtjes. Gjatë periudhës së luftës, Williams ka qenë i angazhuar si këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në proceset e Rambujesë.
Gjatë dëshmisë së tij, juristi Paul Williams ka treguar në detaje se si ishte bërë pjesë e delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, u tha se dëshmitari Paul Williams, ishte këshilltar ligjor pa pagesë për delegacionin shqiptar në Rambuje.
Paul Williams duke folur para Gjykatës Speciale në Hagë për mbështetjen që delegacioni kosovar i ka dhënë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë gjatë bisedimeve në Rambuje, pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së.