Përmes një pritjeje lamtumire të organizuar në rezidencën e tij, në prani të personaliteteve nga jeta publike dhe politike e vendit, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, përmbylli mandatin pesëvjeçar në Prishtinë, duke u larguar në pension me përshtypjet më të mira për vendin dhe popullin e Kosovës.
Në fjalimin e tij lamtumirës, ambasadori Rohde vlerësoi disa nga arritjet më domethënëse të kësaj periudhe, duke përmendur si histori suksesi futbollin, rolin e diasporës dhe liberalizimin e vizave – të cilin e cilësoi si një nga momentet më të rëndësishme të mandatit të tij, që e afroi Kosovën më shumë me Bashkimin Evropian.
“Gjatë këtyre viteve në Kosovë jam ndier si në shtëpi, tha ambasadori, duke theksuar lidhjet e forta mes dy popujve dhe kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës kosovare në Gjermani, e cila sot numëron mbi 600,000 qytetarë dhe shërben si një urë e fuqishme bashkëpunimi mes të dyja vendeve.
Duke folur për integrimin dhe lidhjet kulturore, Rohde përmendi me krenari futbollistët e rritur në Gjermani që sot përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, si shembuj të shkëlqyer të migrimit dhe integrimit të suksesshëm, raporton RTKlive.
Ambasadori rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Gjermanisë për të mbështetur Kosovën dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimeve euroatlantike – një mesazh që, siç tha ai, u theksua qartë edhe në takimin e fundit të ambasadorëve gjermanë në Berlin.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila falënderoi ambasadorin për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm dhe për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Mandati juaj pesëvjeçar, më i gjati që një ambasador gjerman ka pasur në Kosovë, është një dëshmi e dashurisë dhe përkushtimit tuaj për vendin tonë,” tha Presidentja Osmani, duke vlerësuar gjithashtu karakterin e tij të hapur dhe angazhimin personal, të cilat, sipas saj, kanë ndihmuar në lehtësimin e dialogut edhe në momentet më sfiduese.
Ajo rikujtoi se Gjermania ka qenë një ndër aleatët më të fuqishëm të Kosovës, veçanërisht në periudhat më të vështira, dhe se partneriteti strategjik mes dy vendeve është forcuar ndjeshëm gjatë mandatit të ambasadorit Rohde.
Ceremonia u mbyll në një atmosferë miqësore dhe reflektive, duke përforcuar edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike mes Kosovës dhe Gjermanisë.