Në vendimin ZL.Anr.41/2025, PZAP thekson: “REFUZOHET e pabazuar ankesa ZL.Anr.41/2025, e datës 17.09.2025, paraqitur nga subjekti politik, Lista Serbe me seli në Mitrovicë të Veriut, kundër subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë…”

Lista Serbe kishte pretenduar se LVV kishte ushtruar presion politik ndaj saj përmes një ankese të paraqitur më 15 shtator. Në dokument thuhet: “Sipas Listës Serbe, një veprim i tillë përbën një fyerje të drejtpërdrejtë ndaj përfaqësuesve politik të komunitetit serb në Kosovë dhe paraqet një akt të papranueshëm… Me tej në ankesë theksohet se sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje është e papranueshme dhe tregon për abuzim me të drejtën e ankesës.”

Nga ana tjetër, Vetëvendosje sqaroi se kishte vepruar në përputhje me ligjin. PZAP citon përgjigjen e LVV-së: “Slogani i Listës Serbe është një veprim që nxit përçarje dhe glorifikon një person të shpallur në kërkim, prandaj ngritja e ankesës së LVV-së, ishte veprim i justifikuar për të adresuar shkelje të tillë… Në këtë kuptim, ankesa e tyre ka qenë ushtrim legjitim i së drejtës së parashtruar me ligj.”

Vendimi i PZAP shton: “Pas shqyrtimit të ankesës, shkresave të lëndës, pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe provave të bashkangjitura, PZAP-i vlerëson se Lista Serbe, janë të pakënaqur me vendimin e mëparshëm të PZAP-it, andaj kërkesa e tyre për ta konsideruar veprimin e LVV-së si shkelje është e pabazuar.”

Ky vendim thekson gjithashtu se çdo subjekt politik ka të drejtë të paraqesë ankesa brenda afateve ligjore për çdo shkelje të pretenduar gjatë periudhës zgjedhore, duke nënvizuar se përdorimi i këtij mekanizmi nuk mund të konsiderohet abuzim vetëm sepse një ankesë refuzohet.