Në Prishtinë, dëmtimet e vogla shpesh përfundojnë në degradime të mëdha. Hapësirat publike, lodrat për fëmijë dhe platot e lagjeve, sipas Partisë Socialdemokrate, nuk po mirëmbahen si duhet. Kandidatja për kryetare të komunës, Besa Shahini, thotë se zgjidhja është një koncept i ri, “Mjeshtri i Lagjes”.
“Jemi te “Banesat e Bardha” janë lodrat e reja që janë instalua tash vonë edhe unë vijë shpesh këtu për shkak se vajza ime ka shumë dëshirë të luaj këtu. Por, menjëherë kanë filluar të dëmtohen disa nga lodrat dhe ngaqë nuk është askush që i mirëmban, degradimet që ndodhin, dëmtimet e vogla përfundojnë në degradim shumë të madh dhe tashmë ka fillua në këtë lokacion. Fati i saj, realisht është fati i të gjitha hapësirave publike që i kemi në Prishtinë për shkak se nuk e kanë një ekip të dedikuar që merret me mirëmbajtjen e hapësirave publike”, tha Shahini
Shahini përmendi edhe shembullin e Pllatos tek Banesat e Bardha, që sipas saj po renovohet tash e dy vite, pa u përfunduar plotësisht. Ajo thotë se mungesa e planit afatgjatë dhe punimet e kompanive private shpesh lënë projekte të papërfunduara. Sipas Shahinit, “Mjeshtri i Lagjes” do të jetë një ekip i vendosur në çdo lagje kolektive, me mjete e punëtori për intervenime të shpejta nga rregullimi i ndriçimit, te lodrat e fëmijëve.
“Ne duam të bëjmë krejt ndryshe, ndaj duam të themelojmë “Mjeshtrin e lagjes” si një pikë statike nëpër të gjitha lagjet që janë me banesa kolektive. Ato aty do të shërbejnë edhe si punëtori, ku punëtorët dhe mjeshtrit e lagjes mund të qëndrojnë dhe të bëjnë pushim gjatë kohës së drekës, i kanë të gjitha mjetet e nevojshme për intervenimet dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme. Disa nga punët që do të bëhen natyrisht që do të kontraktohen edhe njerëz shtesë, për shembull në lagjen “Ulpiana” kulmet janë me asbest, ato janë shumë të dëmshme, për shëndetin e njerëzve dhe ato duhet të ndryshohen urgjentisht, do të thotë menjëherë duhet të ndërrohen kulmet, apo fasadat në lagjen “Dardania”, apo të instalohen ashensorët tek “Banesat e Bardha”. Për punë të mëdhaja natyrisht që do të kontraktohen edhe njerëz shtesë. Por, nëse prishet ndriçimi, nëse ka nevojë për intervenim te lodart e fëmijëve, apo ndonjë rregullim tjetër i vogël, kjo bëhet me punëtorët e “Mjeshtrit të Lagjes”.
Koncepti, sipas Shahinit, nuk ndalet vetëm te mirëmbajtja teknike. Ai do të shtrihet edhe në gjelbërim e pastërti.
“Modelin e kemi. Ndërmarrja Publike Banesore, i ka investua në 700 hyrje të banesave kolektive në Prishtinë, të cilat i ra renovua dhe i ka pajis …. Kështu të njëjtën model do ta përdorim edhe për “Mjeshtrin e Lagjes” me një shtesë që të bëjmë marrëveshje mes kompanive të ndryshme publike, mes Ndërmarrjeve Publike në Prishtinë që aty t’i shtohet edhe “Kopshtari i Lagjes” nga kompania e Gjelbër, që mirëmban gjelbërimin edhe dikush nga kompania “Pastrimi” që merret me pastërtinë në lagje. Për lagjet me shtëpia, ekipi do të jetë mobil dhe do të kryej të njëjtën punë në hapësirat publike. Mos harroni, e vetmja mënyrë që hapësirat publike të mos degradojnë, ta ruajmë edhe buxhetin komunal në mënyrë që të mos të bëhen vazhdimisht investime të reja në hapësira publike, është që hapësirat publike të mirëmbahen dhe zgjidhja është e qartë, është e thjesht dhe krejtësisht e realizueshme përmes “Mjeshtrit të Lagjes”.
Kandidatja e PSD-së thotë se ky model do të ndalë degradimin e hapësirave publike dhe do të kursejë buxhetin e qytetit. Për Besa Shahinin, “Mjeshtri i Lagjes” është një zgjidhje e thjeshtë, e qartë dhe plotësisht e realizueshme për Prishtinën.