Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja, dëshmoi para trupit gjykues se shqiptarët e Kosovës ishin pjesë e një sistemi aparteidi gjatë kohës së Millosheviçit dhe kjo solli spastrimin etnik.
“Ata kanë qenë të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje, në shërbime publike, dhe kjo solli spastrimin etnik që e kemi parë të gjithë,” tha ai.
Ai tha para trupit gjykues se këshillat që ai i jepte gjeneralit amerikan Clark, burimet i kishte të larmishme. “Informoja gjeneralin Clark në mëngjes. Zgjohesha, kam hyrë në internet për të parë zhvillimet e fundit se çfarë po ndodhte në Kosovë, dëgjoja lajmet e 24 orëve të fundit, në veturë dëgjoja edhe BBC-në, lexoja të gjitha shërbimet. Përmes videolidhjeve informonim komandantët në terren”, thotë ai për punën që bënte gjatë kohës së luftës në Kosovë. Duncan thotë se përpiqej të krijonte një panoramë se çfarë kishte ndodhur çdo 24 orë në Kosovë.
Ai theksoi se kultura shqiptare e ka ndihmuar ta kuptonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duncan ndër të tjera tha se familja e Jasharajve kishte ndikim të madh gjatë vitit 1998.
Ai gjatë dëshmisë së tij, ka folur për përvojën e tij me shqiptarët, për çka veçon tri tipare të tyre, që sipas tij janë shumë burimorë, shumë kreativë dhe të pavarur.
“Sipas përvojës sime me shqiptarët, janë shumë burimorë, shumë kreativë dhe të pavarur. Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtarë nuk e kuptonte këtë sipërmarrje apo këtë karakter dallues të marrjes së vetes në duar të veta nga shqiptarët. Shqiptarët ishin shumë kreativë dhe nëse ata janë kriminelë efektiv në vetvete nuk është çuditëse sepse ka të bëj me një nga tiparet kryesore, pra gjetjes së mënyrës për të shprehur në mënyrën më efektive. Kjo është diçka të cilën ne e kemi parë ndër vite, që shqiptarët bëhen biznesmen shumë të mirë, persona me emër në fushën e tyre.”, ka thënë Duncan.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se komuniteti ndërkombëtar e kishte të vështirë të kuptonte këto tipare. “Kishin një vlerësim shumë larg nga e vërteta e shqiptarëve. Kjo mund të ndihmon shumë në çoftë se të duhet të trajtosh personat të cilët thjeshtë mundoheshin të mbronin veten”, ka thënë ai.
Ai u pyet edhe nëse po flet për shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë, për çka tha se po fliste për tiparet kryesore të shqiptarëve etnik.
“Unë po përshkruaja tiparet kryesore të shqiptarëve etnik, nuk është e nevojshme këtu të bëj dallimin ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë apo atyre të Kosovës”, ka shtuar ai.