“Think Different, Watch Alike” – me këtë moto u çel mbrëmë edicioni i 23-të i Tirana International Film Festival.

 

Kineastë dhe të apasionuar të filmit ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së TIFF ku Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit hapi siparin me “in memoriam” kushtuar regjisorit Dhimitër Anagnosti.

Dita e parë e festivalit nisi me filmin fitues të “Luanit të artë” të Venecias, “Father Mother Sister Brother” i regjisorit Jim Jarmusch. Filmi është një bashkëprodhim mes SHBA-së, Irlandës dhe Francës, i gjatë 110 minuta, ku interpretojnë aktorët: Adam Driver, Vicky Krieps, Cate Blanchett, Tom Waits, Charlotte Rampling, Indya Moore etj.

Drejtori i TIFF-it, Agron Domi, falënderoi pjesëmarrësit dhe i ftoi të vijojnë të ndjekin festivalin për më shumë shfaqje speciale dhe momente të paharrueshme, gjatë projeksionit të filmave.

Gjatë ditës së sotme, filmat e TIFF-it do të projektohen në lokacione të ndryshme: Kinema Millennium, Kino Piramida, Agimi Art Center.

Në 12:30, në Kinema Millennium, do të shfaqen filmat e kategorisë Student Documentary & Experimental Films, njëri prej të cilëve do të përzgjidhet për të garuar për çmimet Oscar.

Ndërsa në 14:30, po në Millennium, do të shfaqen filmat e kategorisë Video-Art & Experimental, prej nga do të përzgjidhet filmi që do të garojë për European Film Award.

Ndërkohë gjatë orëve të paradites do të ketë shfaqje filmi për fëmijë tek kinemaja e Piramidës, me prodhime të kategorisë Panorama: KIDs 1.