Të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt – Naim Murseli, ish-bashkëshorti i saj, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, janë paraqitur sërish sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Seanca e sotme u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, Shpend Haxhibeqiri, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.
Eksperti Shpend Haxhibeqiri deklaroi në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme. Ai shtoi se analizat janë kryer përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.
“Nuk ka asnjë tregues për çrregullim mendor që nga fëmijëria e deri në momentin e ekzaminimit”, tha Haxhibeqiri.
Sipas ekspertit, Murseli ka qenë i kthjellët, koherent dhe përgjegjës për veprimet e tij gjatë gjithë kohës. Ai gjithashtu sqaroi se ekzaminimi është bërë në mënyrë të paanshme dhe nuk ka për qëllim të vërtetojë fajësinë, por vetëm gjendjen mendore të të akuzuarit.
Gjatë seancës, Naim Murseli e pyeti vetë ekspertin nëse në raportin e tij thuhet se ai e ka vrarë gruan e tij.
“Në asnjë pjesë të raportit nuk thuhet se ju e keni kryer veprën për të cilën akuzoheni,” u përgjigj Haxhibeqiri.
Tutje, Murseli pyeti nëse gjatë intervistave kishte pranuar fajësinë. Eksperti tha se në asnjë moment Murseli nuk ka pranuar se e ka kryer veprën penale; përkundrazi, e kishte mohuar përfshirjen në planifikimin apo ekzekutimin e vrasjes.
“Nuk është detyrë e ekspertizës psikiatrike të vërtetojë fajësinë, por është e vërtetë që i njëjti ka mohuar gjatë deklarimit se ai e ka bërë veprën apo planifikimin,” shtoi Haxhibeqiri.
Eksperti përfundoi dëshminë pa pasur pyetje shtesë nga trupi gjykues.
Kujtojmë se Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.