Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e luftimit të falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke forcuar më tej përkushtimin institucional për ruajtjen e integritetit të parasë së gatshme euro në qarkullim dhe sigurimin e stabilitetit financiar të vendit. Marrëveshja është nënshkruar nga Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili dhe Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.
Kjo Marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm në përafrimin me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në luftën kundër falsifikimit të parasë, dhe vendos bazat për një bashkëpunim teknik të strukturuar, përfshirë shkëmbimin e informacionit përmes Sistemit të Monitorimit të Falsifikimeve të BQE-së (CMS), i cili mbështet identifikimin dhe analizën e kartëmonedhave euro të falsifikuara.
Përmes kësaj Marrëveshjeje, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro dhe do të integrohet në rrjetin profesional të bashkëpunimit me bankat qendrore të Eurosistemit dhe institucione partnere jashtë zonës euro, përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ky bashkëpunim është rezultat i një përpjekjeje ndërinstitucionale në Republikën e Kosovës, e udhëhequr nga BQK, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të ndërtuar një kornizë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse kundër falsifikimit.
Marrëveshja forcon objektivat e përcaktuara në legjislacionin e përgatitur për luftimin e parasë të falsifikuar, i zhvilluar me mbështetjen e Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe institucioneve relevante vendore, në kuadër të projektit TAIEX të BE-së, i cili parasheh nisma për krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe të Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve në Kosovë, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.
BQK shpreh mirënjohje të veçantë për ekipin e ekspertëve që kanë punuar në këtë projekt, me vlerësim të veçantë për Bankën Qendrore Evropiane, e cila, përmes kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, ka hapur rrugën për avancimin e kapaciteteve tona institucionale, teknike dhe operacionale, në një përpjekje të përbashkët për të luftuar një dukuri që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe qasje sistematike.
BQK riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e kapaciteteve të brendshme, modernizimin dhe automatizimin e përpunimit të parasë në përputhje me standardet e Eurosistemit, rritjen e vetëdijes publike dhe avancimin e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në praktikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian.