Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion gjatë një aksioni të zhvilluar në një vilë në Brezovicë të komunës së Shtërpcës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, njësia e hetimeve e stacionit policor në Shtërpcë, në bashkëpunim me njësinë e hetimeve të stacionit “Qendra” në Prishtinë, ka kryer kontroll në këtë objekt, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, dy pushkë ajrore, pesë karikatorë dhe njëzet e një fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Sipas policisë, i dyshuari nuk është gjetur në vendngjarje dhe aktualisht është në kërkim. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.