Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se uji që vjen nga zona e Badocit vazhdon të jetë i pasigurt për pije për shkak të vlerave të rritura të manganit.
IKSHPK ka bërë një përditësim lidhur me vlerat e manganit në ujin e pijshëm në zonën PR03–Badoc.
Sipas institutit, “mostrat e ujit të marra nga rrjeti shpërndarës kanë treguar një ulje të ndjeshme të vlerave të manganit, por rezultatet e analizave laboratorike të ditëve të fundit, me vlerën maksimale prej 0.067 mg/L, ende e tejkalojnë kufirin e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021, ku norma e lejuar për manganin është 0.05 mg/L.”
IKSHPK shton se, “me qëllim të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së shëndetit të popullatës, uji në këtë zonë ende nuk është i sigurt për pije.”
Instituti thekson se do të vazhdojë me monitorimin e rregullt të ujit të pijshëm dhe për çdo zhvillim të ri do të njoftojë qytetarët në kohë.