Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, gjatë hapjes së fushatës elektorale në Gjilan, tha se qytetarët e kësaj komune meritojnë një qeverisje të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme, që do të punojë fort për interesin e tyre.
Ai u shpreh i bindur se Nisma do të sjellë ndryshimin e shumëpritur në Gjilan, duke ofruar ide të reja, vizion të qartë dhe vendime për transformime të mëdha në qytet.
“Jeni një qytet me potencial urban, kulturor dhe ekonomik, por ku është sot Gjilani? A i ka shfrytëzuar ai kapacitetet e veta për fuqizimin e qytetarëve? Ekipi ynë do të punojë për projekte transformuese, që ta kthejmë Gjilanin në një qytet modern dhe të së ardhmes, një qytet që i plotëson nevojat e gjithë rajonit,” theksoi Limaj.
Në tubim foli edhe bartësi i listës së Nismës në Gjilan, Ismet Hajdini, i cili premtoi realizimin e projekteve konkrete.
“Fatkeqësisht, pas luftës, Gjilani ka qenë i anashkaluar nga të gjitha qeveritë, sidomos në infrastrukturë. Megjithatë, falë përkushtimit të Limajt, janë bërë disa investime në Anamoravë dhe në zonën e Gollakut. Por sot, Gjilani si qendër rajonale ka ende lagje pa kanalizim, me probleme me mungesë të ujit të pijshëm, transport publik të pamjaftueshëm dhe çështjen e varrezave të qytetit. Ne do t’i ngrisim këto probleme në Kuvend dhe do të këmbëngulim që të zgjidhen,” tha ai.
Në këtë tubim, Nisma prezantoi edhe listën e kandidatëve për Asamblenë Komunale të Gjilanit, për të cilët u theksua se janë njerëz të përkushtuar, profesionistë të zotë dhe të gatshëm për të përfaqësuar me dinjitet interesat e qytetarëve.