Policia e Shtetit ka zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe kontrolle në kuadër të planit evropian ROADPOL 2025, gjatë periudhës 16-22 shtator, me fokus rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj jave të “Ditëve të Sigurisë”, janë vendosur 11,116 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor. Në total, njësitë e trafikut kanë ngritur 1,764 pika kontrolli, ku janë verifikuar 6,956 automjete.
Në fokus të aktiviteteve kanë qenë kontrolli i mjeteve me dy rrota, shpejtësia, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, mosvendosja e rripit të sigurisë, sjellja e këmbësorëve, si dhe përdorimi i helmetës.
Pjesë e planit kanë qenë edhe aktivitetet ndërgjegjësuese, ku policia ka mbajtur 27 ligjërata në shkolla, duke përfshirë nxënësit në aktivitete praktike për sigurinë rrugore.
Policia rrugore njofton se kontrollet e tilla do të vijojnë edhe pas përfundimit të fushatës, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e disiplinës në trafik.