Grupi i tifozëve “Plisat” ka dalë me një reagim të ri, pas, siç thonë ata, keqinterpretimit të deklarimit të tyre të parë. Në këtë reagim, ata theksojnë se nuk kanë dhe nuk do të kenë asnjë lidhje me subjektet politike apo me fushata zgjedhore.
“Tifozët ‘Plisat’ nuk janë dhe as nuk do të jenë pjesë e asnjë fushate politike apo të ndonjë partie. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi gjithmonë vetëm tifozë të KF Prishtinës, pa asnjë lidhje me subjektet politike. Çdo përpjekje për të na përfshirë në agjenda jashtë sportit është e pavërtetë dhe e papranueshme”, thuhet në reagimin e tyre.
Në fund, “Plisat” theksojnë se ata i përkasin tribunës dhe qytetit, e jo politikës.
Ky reagim vjen pasi kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e postoi mbrëmë një video nga një takim, që siç tha ai, e kishte me “Plisat”.
“Mirëmbrëma Prishtinë, jam këtu në Gërmi, me zemrat e Prishtinës, me zemrat e mia, Plisat, me ma të mirët. A ecim edhe katër përpara. Ju dua”, tha Rama në një video në rrjetin social Facebook.