Gazetari polako-bjellorus, Andrej Poczobut (Anxhej Paçobut), korrespondent i të përditshmes Gazeta Wyborcza, është nominuar për Çmimin Sakharov që ndahet nga Parlamenti Evropian.
Poczobut, një nga gazetarët më të përndjekur në Bjellorusi, ka kaluar shumë vite në burg me akuza absurde për “fyerje” ndaj presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
Ai është arrestuar dhe dënuar disa herë nga regjimi bjellorus: në vitin 2011 u dënua me gjobë dhe 15 ditë burg për pjesëmarrje në një tubim të palejuar pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2010; në vitet 2011 dhe 2012 u arrestua sërish për shpifje të supozuara në raportimet e tij kundër Lukashenkos; ndërsa në vitin 2021 u arrestua përsëri dhe vazhdon të mbahet në burg, ku cilësohet si i burgosur politik.
Çmimi Sakharov u ndahet individëve apo grupeve që luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirinë e mendimit. Ky çmim, i themeluar në vitin 1988 dhe i emërtuar sipas disidentit dhe shkencëtarit rus Andrei Sakharov, është ndër më prestigjiozët që jep Parlamenti Evropian.
Në vitin 1991 këtë çmim e fitoi veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi, ndërsa në vitin 1998 e fitoi presidenti Ibrahim Rugova.
Për vitin 2025, të nominuar janë gjithashtu Boualem Sansal, Studentët Serbë, “Krenaria e Budapestit”, Charlie Kirk, Mzia Amaglobeli dhe Lëvizja Protestuese për Demokraci e Gjeorgjisë.
Fituesi do të shpallet në tetor.