ATSH
Në Javën e Modës Milano, sot prezantohet një koleksion kushtuar xhubletës shqiptare i realizuar nga Moralda Durra dhe i titulluar “Një mijë e një fije”.
Ky koleksion është një homazh bashkëkohor për xhubletën, veshjen më të hershme shqiptare që sjell në kujtesë fillesat e trashëgimisë sonë kulturore.
Kështu, xhubleta shqiptare prezantohet sot në sfilatën e organizuar në hotelin Four Seasons, të Milanos.
Koleksioni me titull “Një mijë e një fije” ishte fituesi i çmimit të parë në Muza Competition 2025, e organizuar në muajin korrik, projekt i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Koleksioni i Moralda Durrës është i ndërtuar kryesisht me shajak të zi, një lloj stofi prej leshi, dhe e zbukuruar me gajtanë (kordonë të hollë) të bërë me fije leshi të zi. Ky koleksion riinterpreton thelbin e xhubletës përmes një lenteje të papërpunuar, moderne dhe konceptuale. Në vizionin e stilistes, çdo fije e këtij koleksioni lidh gratë e shoqërisë së hershme shqiptare me ato bashkëkohore.
Xhubleta shqiptare u shpall në vitin 2022, trashëgimi kulturore botërore e mbrojtur nga UNESCO.