Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, zhvilluan një takim me banorët e lagjes “Bajram Curri”, ku u diskutuan investimet e deritanishme dhe projektet e ardhshme për këtë zonë.
Kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, u zotua se do të vazhdojë me projektet e nisura, duke e parë lagjen si një zonë me rritje të vazhdueshme dhe me nevoja të reja infrastrukturore.
Ai theksoi se PDK nuk është në garë vetëm për një qytet apo për një mandat, por për një mision afatgjatë në shërbim të qytetarëve.
“Normal një nëndegë që angazhohet dhe jep kontributin serioz, ka qenë një ndër prioritetet tona në qeverisje dhe u përmendën punët që janë bërë por natyrisht që asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe ne do të vazhdojmë në mandatin tjetër edhe me punë të tjera sepse qyteti ka nevojë”, ka thënë ai.
Bartësi i listës së PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi, tha se ekipi aktual meriton edhe një mandat, pasi në këtë lagje, sipas tij, janë realizuar shumë projekte të rëndësishme.
“Jemi me një lagje të veçantë një lagje që është transformuar krejtësisht në këtë mandat me një lagje ku janë ndërtuar e janë realizuar shumë projekte falë kryetarit, Shaqir Totaj, falë drejtorëve aktual të cilët janë edhe kandidat për asamble në kuvendin e komunës”, ka thënë ai.
Në përmbyllje të takimit, PDK në Prizren kërkoi mbështetjen e banorëve të kësaj lagjeje për të realizuar projekte të tjera që synojnë përmirësimin e mirëqenies së tyre.