Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se nuk do të lejojë që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Duke folur përpara fjalimit të kryeministrit izraelit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të premten, presidenti amerikan u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se ai “nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor”.
“Kjo nuk do të ndodhë,” tha Trump.
Ai shtoi se kishte folur me Netanyahun, por se, pavarësisht kësaj, ai nuk do të lejonte aneksimin e Bregut Perëndimor.
“Mjaft më. Kjo duhet të ndalet”, tha presidenti amerikan.
Trump, i cili do të takohet me Netanyahun të hënën, tha gjithashtu se një marrëveshje për Gazën ishte “shumë afër”.
Izraeli përballet me presion global në rritje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe pushtimit të Bregut Perëndimor, ndërsa një valë shtetesh perëndimore njohin zyrtarisht një shtet të pavarur palestinez. E djathta ekstreme në Izrael e sheh aneksimin si një mënyrë për të parandaluar këtë mundësi.
Deklarata e Trump vjen pasi administrata e tij u propozoi udhëheqësve arabë të martën një plan paqeje me 21 pika për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke shkaktuar një shkëmbim idesh midis udhëheqësve se si të arrihet një propozim përfundimtar që potencialisht mund t’i japë fund konfliktit, sipas një zyrtari të lartë të administratës dhe burimeve rajonale të njohura me çështjen.
Plani i propozuar nga SHBA-të përfshinte një numër pikash që administrata i kishte bërë tashmë publike, duke përfshirë lirimin e të gjithë pengjeve dhe një armëpushim të përhershëm, sipas një burimi të veçantë të njohur me çështjen.
U prezantuan gjithashtu një kornizë se si mund të qeveriset Gaza pa Hamasin dhe një propozim për një tërheqje graduale të Izraelit nga Rripi i Gazës.