Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion nga Komanda Mbështetëse e FARSH-it, i udhëhequr nga Komandanti, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando, ka realizuar një vizitë në Komandën e Logjistikës të FSK-së.
Sipas njoftimit të FSK-së, delegacioni u prit nga Zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Mehmet Lladrovci, i cili i informoi mysafirët nga Shqipëria për të arriturat, sfidat, ngritjen e kapaciteteve, misionin dhe detyrat e kësaj komande, si dhe për strukturën organizative dhe zhvillimet në fushën e logjistikës dhe asaj mjekësore.
“Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të vizitojë servisin për automjetet e rënda, ku u njoh nga afër me kapacitetet e mirëmbajtjes që ofron FSK. Palët rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve logjistike dhe mjekësore, përmes planeve bilaterale dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet dy forcave”, thuhet në njoftim.