Pas konfiskimit të disa armëve në një bodrum në qendër të Mitrovicës së Veriut, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova nuk është strehë për kriminelët apo elementet e tjera që cenojnë sigurinë.
Ministri në detyrë ka theksuar se mbesin të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit.
“Asnjë pjesë e territorit të Republikës sonë nuk është më strehë as për kriminelë e as për armatim apo elemente të tjera që cënojnë sigurinë e vendit tonë. Në qendër të Mitrovicës së Veriut, në bodrumin e një ndërtese kolektive sot janë gjetur dy armë, municion i llojeve të ndryshme, karikatorë, gazmaskë e pranga. Mbetemi të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe për Republikën tonë”, ka shkruar ministri në detyrë.
Sot Policia e Kosovës në Mitrovicë Veri ka gjetur dhe konfiskuar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale gjatë një kontrolli në një podrum afër Sheshit “Car Lazar”. Gjatë aksionit janë konfiskuar: 1 pushkë automatike, 1 pushkë gjahu, 50 fishekë, 1 kondak pushke, 1 palë pranga, 1 mbajtës pushke, 1 maskë kundër helmeve me çantën e saj, 1 këllëf arme, 5 karikatorë të zbrazët.