Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media njofton se kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte folës kryesor në diskutimin e organizuar nga Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin në kuadër të universitetit The New School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me titull “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”.
Në komunikatë thuhet se në fjalën e tij, kryeministri prezantoi qasjen e qeverisë që ai drejton në përballjen me krizat globale dhe kanalizimin e ndihmës drejt atyre që kanë më së shumti nevojë, e cila mund të shërbejë si shembull edhe për shtetet e tjera, të cilat kanë përjetuar të njëjtat sfida.
Ai ka thënë se qeveria i ka ardhur në ndihmë qytetarëve të Kosovës në këto kohë sfiduese dhe ia ka dalë ta bëjë këtë pa rritur normat e taksave ose pa rritur borxhin publik.
“Në një kohë kur ekonomitë e shumë vendeve janë të dëmtuara nga detyrimet ndaj kreditorëve, është jetike që qeveritë të mendojnë jo vetëm se si mund t’i mbështesin më mirë qytetarët e tyre, por edhe si ta bëjnë këtë pa u zhytur në një spirale të rrezikshme rritjeje eksponenciale të borxheve dhe pagesave me interes”, u shpreh kryeministri.
Duke folur rreth masave të marra si kundërpërgjigje ndaj inflacionit, kryeministri ka theksuar nevojën për ndaljen e rritjes së mëtejme të saj, frenimin e rritjes së çmimeve të importit dhe interesave të korporatave të manifestuara me rritjet të çmimeve dhe rritje të marzhave të fitimit për të përfituar nga situata e krijuar, në dëm të qytetarëve dhe konsumatorëve.
U aprovuan legjislacione me qëllim të rregullimit të çmimeve tavan, si në rastin e rritjes së çmimit të derivateve të naftës, të produkteve farmaceutike dhe produktet bazike, edhe pse kjo e fundit u pamundësua nga opozita parlamentare që kontestoi ligjin dhe Gjykata Kushtetuese që e rrëzoi atë.
Pjesë e politikave qeverisëse ishin dhe rritja e punësimit, mbështetja e fermerëve, bizneseve prodhuese e veçanërisht ato të vogla e të mesme, ekonomitë familjare duke subvencionuar energjinë, mbështetje për nënat lehona dhe fëmijët përmes shtesave, programe për incentivimin e punësimit për të rinjtë, bursa për studentët si dhe fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), arsim publik të lartë falas, rritje të pagës minimale, pagave në sektorin publik dhe pensioneve si dhe mbulim më të lartë nga ana e qeverisë të barnave për pacientët, ndërtimi i shkollave e çerdheve të reja, urave dhe rrugëve rajonale që lidhin fshatrat dhe zonat rurale.
Kurti ka shtuar se fokus i qeverisë krahas barazisë shoqërore dhe ndihmës së atyre që kishin më së shumti nevojë, ishte gjithashtu edhe zhvillimi, progresi, rritja ekonomike, siguria e qytetarëve, sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit.
Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin mbështet studimet kritike dhe të aplikuara dhe ofron mundësi për veprim shoqëror dhe angazhim në politika për fakultetin, studentët dhe komunitetin më të gjerë të “New School”. Mes tjerash, instituti fokusohet në kuptimin dinamik të koncepteve qendrore në fushën e studimeve të migracionit, ndërsa ndërmerr iniciativa për debate publike dhe politika publike në nivel nacional dhe global.